Hoteleria, një biznes i mirë në bregdet, dobët kryeqyteti, Goditja nga euro
Në vitin 2024, në vend hynë një rekord prej 11.7 milionë shtetasish të huaj, dy herë më shumë se në vitin 2019.

Turizmi është “fati” që i trokiti në derë Shqipërisë në një moment kritik. Vendi po vuante rënien e konsumit për shkak të tkurrjes së popullsisë.
E orientuar gjithnjë e më shumë mbi shërbimet, ekonomia do të shënonte rënie të fortë nëse milionat e turistëve nuk do të vinin të vizitonin qytetet, bregdetin e malet dhe atraksionet e tjera natyrore e kulturore që i kemi me shumicë.
Turistët nxitën një sërë biznesesh, duke filluar nga akomodimi e shërbimi ushqimor e sektorët mbështetës. Në fund të vitit 2024, sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor zuri 4.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Deri në vitin 2017, akomodimi dhe shërbimi ushqimor kontribuonte më pak se 2% të PBB-së.
Në vlerë, akomodimi dhe shërbimi ushqimor prodhoi 176 miliardë lekë, ose gati 1.8 miliardë euro në vitin 2024, sipas INSTAT, duke arritur një nivel rekord, i ndikuar nga vrulli i turizmit. Megjithatë ritmet e rritjes reale u ngadalësuan në 8.5% në 2024-n, nga 36% vitin e mëparshëm.
Edhe efekti në ekonomi ka qenë më i ulët. Kjo tendencë lidhet me faktin që ndryshe nga të ardhurat (prodhimi, që mat xhiron e përgjithshme të sektorit, me çmime bazë, përpara se të zbriten kostot e prodhimit), vlera e shtuar e sektorit (që përfshin pagat, fitimin dhe taksat që krijohen nga ajo kompani) po rritet më ngadalë.
Kjo tregon se shumica e rritjes së të ardhurave po shkon për të mbuluar kostot (materiale, energji, transport), jo për shtim të fitimit apo të pagave.
Në analizat e strukturës ekonomike, ky raport përdoret shpesh për të treguar zhvillim “sasior” pa rritje cilësore në efikasitetin ekonomik.
Rënia e Euros është një faktor kryesor, që ka ulur performancën e sektorit. Sipërmarrësi Behar Male, aksioner në hotelin më të madh për nga të ardhurat në kryeqytet, thotë se arsyeja kryesore lidhet me rënien e Euros, që ka zhvlerësuar të ardhurat. “Euro po e shkatërron biznesin e hotelerisë”, pohon ai.
“Na është rritur kostoja e çdo lloj malli e shërbimi vetëm nga zhvlerësimi i Euros. Kësaj i shtohen dhe kostot e larta të energjisë për subjektet e mëdha, pagat e personelit e të tjera”.
Rënia e Euros dhe shtimi i kostove nuk arrin të kompensohet nga çmimet e dhomave, që mbeten të ulëta përballë turistëve me aftësi të ulët paguese.
Sipas një kërkimi në booking, hotelet me 5 yje në kryeqytet shesin dhoma, duke filluar nga 180 euro nata dhe ato me 4 yje, edhe më pak se 100 euro/nata.
Në Milano, sipas platformës KAYAK, për hotele me 5 yje në Milano, çmimi është rreth 620 euro për natë, ndërsa ato me 4 yje, në rreth 200-230 euro/nata.
Rritja e turizmit ka nxitur dhe investimet në hoteleri, sidomos në zonat bregdetare. Vitet e fundit është shtuar numri i hoteleve që renditen në listën e më të mëdhenjve, si nga xhiro, ashtu dhe fitimi.
Në vitin 2023, për herë të parë, një strukturë hoteliere hyri në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve. Në vitin 2024, janë dy të tilla.
Megjithatë, norma e fitimit të tyre në pjesën më të madhe mbetet e ulët, në raport me ndërtimet rezidenciale dhe fshatrat turistikë, duke “justifikuar” dhe rendjen drejt këtyre të fundit në zonat bregdetare.
Teksa në kryeqytet ka shumë projekte ndërtimi hotelesh, që po tentojnë tërheqjen e markave të njohura, nuk dihet nëse do të ketë punë për të gjithë. “Tirana ka kërkesë për akomodim në hotele që zihen gjithë kapacitetet maksimumi 10-15 ditë në vit”, thotë z. Male.
“Unë vë re që në Tiranë janë dhënë apo janë në proces shumë leje për hotele. Dyshoj që Tirana të ketë kërkesë për hoteleri apo që do të ketë trend rritës të saj. Me ato leje që janë në proces pra, që nuk janë futur ende në treg, mendoj se do të ketë shumë struktura të panevojshme”.
Ai shton se vendi ka mangësi për struktura të mirëfillta turistike në bregdet, që janë marka. “Kemi hotele, por jo struktura që mbledhin grupe të organizuara në numër të konsiderueshëm”, pohoi ai në citimin për publikimin e “Monitor 200” për vitin 2023.
Të dhënat e 2024-s e konfirmojnë shqetësimin e sipërmarrësit. Hotelet aktuale në kryeqytet janë për “mbijetesë”, duke deklaruar fitime minimale.
Në kontrast, strukturat hoteliere në bregdet, sidomos ato që segmentojnë turistët me të ardhura të larta e shesin dhoma të shtrenjta, po gjenerojnë kthime të larta.
“Management Hospitality Albania”, që ka në pronësi hotelin “Meliá” në Gjirin e Lalëzit, një investim i “Concord Investment”, ka vijuar rritjen e shpejtë.
Në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, të ardhurat arritën në gati 1.7 miliardë lekë, me rritje prej 41.5% në krahasim me 2023, kur filloi funksionimin. Fitimet u rritën me 49%, në 334 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 19.7%.
Sipas Ministrisë së Turizmit, struktura ka 669 dhoma. Kjo është struktura hoteliere më fitimprurëse në Shqipëri, teksa shet mesatarisht dhoma me 150-200 euro dhe në sezon mbi 300 euro/nata.
Juan Tuñon, Menaxher i Përgjithshëm i “Meliá Durrës”, ka pohuar në një intervistë për “Monitor” se parashikojnë hapje të njëpasnjëshme gjatë viteve në vijim, gjë që jo vetëm do të diversifikojë praninë e ‘Meliá’-s, por edhe do të ngrejë më tej nivelin e sektorit të mikpritjes në vend.
Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për investime, falë vijës së saj të paprekur bregdetare, mjedisit pro-biznes dhe vendndodhjes strategjike”.
“Rafaelo Resort” është një nga strukturat më të mëdha të hotelerisë e turizmit në vend, me aktivitet në zonën e Shëngjinit. Në vitin 2024, shoqëria raportoi të ardhura prej 1.2 miliardë lekësh, me rritje 7.5% me bazë vjetore.
Shoqëria pothuajse dyfishoi fitimet në 311 milionë lekë, me një normë prej 25%. Resorti ka 657 dhoma dhe apartamente me kapacitet 2000 – 2100 shtretër duke qenë struktura më e madhe në vend për numrin e shtretërve.
“Hotel Brilliant” në Durrës deklaroi 483 milionë lekë të ardhura, me rënie 7.4%. Kompania është e përfshirë dhe në projektet rezidenciale po në bregdet.
Fitimet ishin 164 milionë lekë, me një normë prej 34%. “Grand Brilliant” që po zhvillon projekte ndërtimesh rezidenciale në zonën e Kavajës, sipas faqes zyrtare, deklaroi të ardhura prej 464 milionë lekësh në vitin 2024, me mbi 6-fishim në raport me vitin e mëparshëm, por fitimet ishin minimale në 37 milionë lekë.
“Golden Eagle”, që menaxhon “Rogner Tirana”, raportoi 866 milionë lekë të ardhura, me rritje vjetore 8.4%. Fitimet ishin 136 milionë lekë, me një normë prej 15.7%, duke qenë hoteli me fitimet më të larta në vlerë në kryeqytet.
“Aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2024 ka qenë në kuotat e një viti të mirë duke shënuar dhe një rritje në zënshmërinë e hotelit në masën 6,46%”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Royal G” në Golem kishte të ardhura prej gati 500 milionë lekësh në vitin 2024, me fitime 133 milionë lekë, me një normë prej 26.9%.
“Mrizi i Zanave”, që shfrytëzoi në mënyrë të zgjuar avantazhet e zonës rurale dhe frymëzoi krijimin e shumë agroturizmeve të tjerë në Shqipëri, është struktura më e madhe e këtij lloji në vend dhe konkurron për nga të ardhurat edhe hotelet relativisht të mëdha.
Të ardhurat e shoqërisë ishin 442 milionë lekë në vitin 2024, ndërsa fitimet 126 milionë lekë, me një normë prej 28.5%.
“The Plaza Tirana”, që menaxhon hotelin më të madh në kryeqytet, “Maritim Hotel Plaza Tirana”, deklaroi të ardhura prej 1.15 miliardë lekësh në vitin 2024, pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë, pas tkurrjes me 13% në vitin 2023.
Fitimet ranë me 14%, në 84 milionë lekë, me një normë prej 7.3%. Kompania pohon në raportin vjetor se tkurrja është tërësisht nga kursi i këmbimit.
“Ndonëse numri i dhomave të shitura për vitin 2024 ka qenë më i lartë se viti 2023, fitimi i vitit 2024 është më i ulët se ai i vitit 2023. Ndikim të ndjeshëm këtu ka pasur ulja e theksuar e kursit të këmbimit.
Ky është një nga faktorët kryesorë të uljes së të ardhurave nga shitja e dhomave.
Grupi “Fafa” është më i madhi jo vetëm në bregdet, por edhe në vend, si për kapacitetet hoteliere, edhe për të ardhurat. Nga viti 2020, aktiviteti i “Fafa” sh.p.k. është i ndarë në dy shoqëri.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024, të ardhurat e “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Resort” arritën në 1.75 miliardë lekë, me rritje 20% me bazë vjetore, pas zgjerimit prej 31% vitin e mëparshëm.
“Grand Blue Fafa” kishte të ardhura prej 942 milionë lekësh dhe “Fafa Restort” 805 milionë lekë në vitin 2024. Fitimet mbeten minimale, përkatësisht në 61 milionë lekë për “Grand Blue Fafa” dhe 48 milionë lekë për “Fafa Resort”, me një normë te të dyja prej rreth 6.5%.
Grupi ka 7 hotele “Grand Blue Fafa”, “Fafa Aqua Palace”, “Fafa Aqua Blue”, “Fafa Beach”, “Fafa Sun Hotel”, “Fafa Mel Holiday”, “Fafa Premium”, në zonën e Golemit dhe Kavajës. Të gjitha hotelet kanë një kapacitet prej 900 dhomash, me mbi 2 mijë shtretër. Në struktura janë 480 të punësuar.
Edhe ky sipërmarrës duket se po shkon drejt ndërtimeve rezidenciale në zonën bregdetare, që gjenerojnë kthime më të larta e të shpejta. Së fundmi, shoqëria ka marrë dhe leje zhvillimi për një
“Strukturë hoteliere dhe rezidenciale 3-4-5-7-8-10-11-14-19 kate mbi tokë, me 3 kate nën tokë”, me vendndodhje në Kryemëdhenj, Bashkia e Kavajës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Grand Blue Fafa Resort” sh.p.k.
“FINMAN Hospitality”, pjesë e grupit FINMAN, që administron “Tirana Marriott Hotel”, është struktura e dytë më e madhe hoteliere në kryeqytet, me të ardhura prej gati 1 miliard lekësh në 2024-n, viti i parë që ka raportuar aktivitetin si e ndarë nga “Alb-Star”, përmes shoqërisë “FINMAN Hospitality”.
Shoqëria ka deklaruar humbje prej 256 milionë lekësh. /Monitor
Më të lexuarat






